Partia Socialiste ka kërkuar përjashtimin me 60 ditë nga Kuvendi të deputetit Agron Shehaj, pas incidentit të regjistruar në ambientet e Parlamentit, ku ai mori një kopje të marrëveshjes konfidenciale me SHBA dhe u largua nga salla.
Pasi me votat e socialistëve u miratua futja me procedurë të përshpejtuar të shqyrtimit të projektligjit për huanë ushtarake prej 302 milionë dollarë nga SHBA, deputetët kanë marrë nga një kopje të saj për ta lexuar para se të mbahet seanca e radhës në orën 15:00.
Ndërkohë, në një video të shpërndarë në rrjet duket se në ambientin ku pritej të lexohej marrëveshja, deputeti dhe kreu i partisë “Mundësia” Agron Shehaj, është futur e ka marrë dokumentin dhe është larguar me vrap në korridorët e godinës së Kuvendit.
Kopja e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe SHBA, është një hua e cila pritet t’i kalojë vendit tonë për nevojat e Forcave të Armatosura dhe forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit. Për këtë kopje deputetët do të duhet të firmosnin për konfidencialitetin e saj sipas kushtetutës pasi është një dokument i klasifikuar.
Menjëherë pas kësaj situate, bëhet me dije se Shehajt i është kërkuar përmes telefonit të kthente dokumentin, për shkak të rëndësisë së tij, ndërsa në të kundërt mund të nisnin procedurat përkatëse për verifikimin e ngjarjes duke rrezikuar edhe një hetim të mundshëm penal. Pas komunikimit, kreu i Partisë Mundësia është rikthyer në Kuvend dhe ka dorëzuar dokumentin që kishte marrë.
Ndërkaq Partia Socialiste ka kërkuar përjashtimin me 60 ditë nga Kuvendi të deputetit Agron Shehaj, pas incidentit të regjistruar në ambientet e Parlamentit, ku ai mori një kopje të marrëveshjes konfidenciale me SHBA dhe u largua nga salla.
Përveç masës disiplinore, socialistët kanë kërkuar edhe referimin e çështjes në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), duke pretenduar se Shehaj ka cenuar sigurinë kombëtare përmes marrjes së dokumentit.
Në kërkesën drejtuar Kuvendit, PS pretendon se këshilltarja që mbante dokumentin është rrëzuar gjatë përpjekjes për ta ndaluar deputetin dhe për të rimarrë materialin.
“Këshilltarja e ndoqi deputetin dhe në përpjekje për ta ndaluar dhe ta rimarrë dokumentin, u rrëzua nga shkallët dhe pësoi lëndime të rënda, siç vërtetohet dhe nga pamjet video bashkangjitur kësaj kërkese”, thuhet në kërkesën e PS.
Socialistët pretendojnë se veprimet e Shehajt mund të përbëjnë disa vepra penale, përfshirë përvetësimin ose marrjen e paligjshme të informacionit të klasifikuar, vjedhjen, grabitjen, pengimin e detyrës së funksionarit publik dhe shkelje të dispozitave për mbrojtjen e sekretit shtetëror.
Sipas PS, dokumenti i marrë nga deputeti përmban informacion të mbrojtur me ligj dhe çështja duhet të hetohet nga organet kompetente për të sqaruar rrethanat e plota.









