Sipas dokumenteve të zbuluara, stërgjyshi i largët i Messit, Raniero Coccettini, lindi në San Severino Marche të Italisë. Në vitin 1899 ai dhe bashkëshortja e tij, Rosa Ricchezza, emigruan drejt Brazilit në kërkim të një jete më të mirë, duke u vendosur në qytetin Ribeirão Preto, në shtetin e São Paulos.
Një zbulim i ri ka hedhur dritë mbi origjinën e familjes së Lionel Messit, duke zbuluar se paraardhësit e yllit argjentinas kanë jetuar për disa vite në Brazil, shumë kohë përpara se familja të vendosej përfundimisht në Rosario të Argjentinës.
Studimi, i publikuar fillimisht nga Globo Esporte dhe i pasqyruar më pas nga media ndërkombëtare si Goal, Yahoo Sports, beIN Sports dhe OneFootball, është rezultat i tre viteve kërkime të historianit italian Fiorenzo Santini në arkivat e Italisë, Brazilit dhe Argjentinës.
Sipas dokumenteve të zbuluara, stërgjyshi i largët i Messit, Raniero Coccettini, lindi në San Severino Marche të Italisë. Në vitin 1899 ai dhe bashkëshortja e tij, Rosa Ricchezza, emigruan drejt Brazilit në kërkim të një jete më të mirë, duke u vendosur në qytetin Ribeirão Preto, në shtetin e São Paulos.
Aty, rreth viteve 1904-1905, lindi djali i tyre Federico, i cili konsiderohet stërgjyshi i drejtpërdrejtë i Lionel Messit. Dokumentet tregojnë gjithashtu se gjatë asaj periudhe familja ndryshoi emrin dhe mbiemrin, duke kaluar nga Arderigo në Federico dhe nga Coccettini në Cuccittini, mbiemër me të cilin familja u bë e njohur më vonë në Argjentinë.
Vetëm një vit pas lindjes së Federicos, familja u largua nga Brazili dhe më 27 shtator 1905 mbërriti në Rosario, qyteti ku dekada më vonë do të lindte Lionel Messi.
Zbulimi ka ndezur menjëherë debatet në rrjetet sociale, ku shumë tifozë kanë ngritur pyetjen nëse Messi mund të kishte përfaqësuar kombëtaren e Brazilit. Megjithatë, ekspertët theksojnë se rregulloret e FIFA-s bazohen në shtetësinë dhe kriteret ligjore të përfaqësimit, jo vetëm në vendlindjen e paraardhësve. Për këtë arsye, fakti që një nga stërgjyshërit e tij lindi në Brazil nuk do t’i jepte automatikisht të drejtën për të luajtur me “Seleçaon”.
Edhe pse ky zbulim nuk ndryshon asgjë në karrierën apo historinë sportive të tetë herë fituesit të “Topit të Artë”, ai shton një kapitull të ri në historinë e familjes së Lionel Messit, duke treguar se rrënjët e saj kaluan fillimisht nga Italia në Brazil dhe më pas në Argjentinë. Zbulimi ka bërë jehonë në mediat sportive ndërkombëtare dhe ka ngjallur interes të madh te tifozët e futbollit në mbarë botën.









