Përplasje të ashpra në Tiranë në disa zona të kryeqytetit

Facebook
WhatsApp

Përplasjet u shoqëruan me hedhje gurësh, molotovësh dhe mjete piroteknike, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë me presion. Turma u zhvendos disa herë nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” drejt Rrugës së Durrësit, bulevardit “Zogu i Parë”, Lanës dhe Sheshit Skënderbej.

Përplasjet mes protestuesve dhe policisë në Tiranë u intensifikuan pas orës 14:00, kur forcat e rendit ndërhynë për të shpërndarë turmën pranë Ministrisë së Arsimit. Një grup demonstruesish hodhi gurë, copa pllakash dhe bomba molotov në drejtim të efektivëve dhe autobotëve të policisë. Përgjigjja e forcave të rendit ishte përdorimi i gazit lotsjellës dhe ujit me presion, ndërsa disa protestues u shoqëruan.

Pas ndërhyrjes, demonstruesit u shpërndanë në disa drejtime, por nuk u larguan nga qendra e kryeqytetit. Një pjesë u zhvendos drejt hyrjes së Rrugës së Durrësit, ndërsa të tjerë vijuan përballjen në zonën e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Rreth orës 15:30, protesta u rigrupua pranë Kryeministrisë. Protestuesit hodhën gurë drejt autobotëve të policisë, të cilët ndërhynë me ujë me presion për të larguar turmën. Përdorimi i gazit lotsjellës bëri që demonstruesit të tërhiqeshin drejt zonës së Lanës dhe parkut të Tajvanit. Përplasjet dhe lëvizjet e turmës shkaktuan vështirësi në qarkullimin e automjeteve në disa prej akseve kryesore.

Rreth orës 16:00, incidente u regjistruan edhe pranë Gjykatës së Lartë. Disa protestues hodhën sende të forta në drejtim të godinës, ndërsa në rrugë u dogjën kosha mbeturinash. Situata vijoi të mbetej e tensionuar, me forcat e policisë që përpiqeshin të mbanin të lira rrugët dhe të pengonin grumbullimin e demonstruesve pranë institucioneve.

Dëmtime dhe incidente në rrugët e kryeqytetit

Rreth orës 16:45, një pjesë e protestuesve u zhvendos drejt bulevardit “Zogu i Parë”. Në këtë zonë u raportua për thyerje të xhamave të disa bizneseve, djegie koshash mbeturinash dhe vendosje të tyre në rrugë, duke penguar qarkullimin. Gjatë lëvizjeve nëpër kryeqytet, protestuesit u përballën disa herë me efektivët, të cilët ndërhynë për të shpërndarë grupet dhe për të larguar barrikadat e improvizuara.

Në një moment, një ambulancë u ndalua nga protestuesit për të kontrolluar çfarë transportonte. Ndërkohë, policia vijoi të mbante nën kontroll disa prej rrugëve që lidhnin zonën e Ministrisë së Brendshme me qendrën e Tiranës.

Rreth orës 17:30, përplasjet u përqendruan në Sheshin Skënderbej. Demonstruesit hodhën bomba molotov dhe mjete piroteknike drejt efektivëve, ndërsa policia përdori ujë me presion dhe gaz lotsjellës. Gjatë përballjes, një efektiv policie u përfshi nga flakët e një molotovi, ndërsa u raportua edhe për persona të tjerë të lënduar.

Një qytetar u pa i gjakosur dhe i shtrirë në tokë, ndërsa një punonjës policie kishte shenja gjaku në kokë. Personat e pranishëm ndërhynë për t’u dhënë ndihmën e parë. Rrethanat e plota të këtyre incidenteve nuk ishin ende të qarta.

Molotovë pranë Ministrisë së Brendshme, ndërhyn RENEA

Në orët e mbrëmjes, përplasjet u zhvendosën sërish drejt Ministrisë së Brendshme. Protestuesit hodhën molotovë, gurë dhe mjete piroteknike drejt forcave të rendit, ndërsa policia reagoi me gaz lotsjellës. U raportua edhe për një vatër zjarri pranë godinës, ku një pemë mori flakë.

Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” u shtuan forcat e sigurisë dhe në zonën e Kryeministrisë u dislokuan efektivë të RENEA-s. Prania e forcave speciale erdhi në kushtet e përshkallëzimit të përplasjeve dhe sulmeve të përsëritura ndaj policisë.

Sipas shpjegimit të dhënë nga Policia e Shtetit për dislokimin e RENEA-s, një ditë më parë ishte marrë një telefonatë për praninë e personave të armatosur mes protestuesve dhe për të shtëna të dyshuara gjatë sulmeve me mjete piroteknike. Ky informacion u përdor për të justifikuar masat shtesë të sigurisë, por nuk u bë e ditur nëse personat e armatosur ishin identifikuar apo nëse të shtënat ishin verifikuar.

Përplasjet vijuan në disa pika të qendrës, ndërsa policia u përpoq të shpërndante turmën dhe të mbronte godinat institucionale. Deri në përditësimet e mbrëmjes nuk ishte bërë publik një bilanc përfundimtar i të gjithë të lënduarve dhe dëmeve të shkaktuara pas orës 14:00.

Ministria e Shëndetësisë kishte konfirmuar më herët se deri në orën 16:00, në Spitalin e Traumës ishin paraqitur një efektiv policie, një 15-vjeçar dhe një përfaqësues i medias, të tre në gjendje të qëndrueshme.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick