Pirlo larg drejtimit të Italisë, shkak lidhja me një kompani bastesh…

Facebook
WhatsApp

Emërimi i Andrea Pirlos në krye të kombëtares italiane dukej vetëm çështje kohe, por një kontratë reklamimi me një kompani ruse bastesh ka vënë gjithçka në pikëpyetje. Federata italiane po shqyrton pasojat ligjore dhe etike, ndërsa emra të tjerë kanë rikthyer shpresat për stolin e “Azzurrëve”.

Pak ditë më parë u raportua se Federata Italiane e Futbollit dhe Andrea Pirlo kishin arritur marrëveshjen për ta emëruar ish-mesfushorin legjendar në krye të kombëtares. Mbeteshin vetëm procedurat formale dhe firma mbi një kontratë që do ta lidhte me “Azzurrët” deri në vitin 2030.

Megjithatë, zhvillimet e ditëve të fundit kanë ndryshuar gjithçka. Roli i Pirlos si ambasador global i kompanisë ruse të basteve Fonbet ka ngritur pikëpyetje serioze dhe ka detyruar drejtuesit e federatës të rishqyrtojnë vendimin.

Çështja ka marrë edhe ngjyrime politike, pasi Fonbet lidhet me biznesmenin Sergey Lomakin, një nga aksionarët e United FC Dubai, klubit që Pirlo drejton aktualisht. Kjo situatë ka krijuar dilema brenda Federatës Italiane, e cila po analizon me kujdes nëse një bashkëpunim i tillë është i pajtueshëm me detyrën e trajnerit të kombëtares.

Presidenti i FIGC-së, Giovanni Malagò, i cili kishte mbështetur zgjedhjen e bërë nga drejtori teknik Paolo Maldini dhe bashkëpunëtorët e tij, tashmë po tregohet më i rezervuar. Para se të japë dritën jeshile, ai kërkon sqarime të plota mbi pasojat ligjore dhe të imazhit që mund të sjellë kjo situatë.

Për këtë arsye, juristët e federatës po shqyrtojnë kontratën e Pirlos me Fonbet. Sipas raportimeve, në rast se ai emërohet trajner i Italisë, marrëveshja me kompaninë e basteve do të përfundonte automatikisht, por mbeten për t’u zgjidhur edhe detaje të tjera ligjore.

Një tjetër pengesë është kontrata e Pirlos me United FC Dubai, e vlefshme deri në qershor 2027. Mediat italiane raportojnë se vetë trajneri është shprehur i gatshëm të paguajë klauzolën që do t’i mundësonte largimin e parakohshëm, ndërsa federata nuk ka ndërmend të mbulojë këtë kosto.

Ndërkohë, në skenë është rikthyer edhe emri i Roberto Mancinit. Ish-trajneri i Italisë, i cili thuhet se ka refuzuar disa oferta në pritje të një mundësie për t’u rikthyer në stolin e kombëtares, mbetet alternativa më e fortë nëse negociatat me Pirlon dështojnë.

Pirlo ndodhet aktualisht në Austri me United FC Dubai, në pritje të zhvillimeve. Kontakti me drejtuesit e federatës është ndërprerë përkohësisht, ndërsa vendimi përfundimtar pritet vetëm pasi të jenë sqaruar të gjitha çështjet që kanë vënë në dyshim emërimin e tij.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick