Kryeministri në detyrë deklaroi se mungon një marrëveshje politike me partitë e tjera dhe kërkoi kohë shtesë për të shmangur mundësinë e zgjedhjeve të reja. Ndërkohë deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të tij, akt që solli ndërprerjen e seancës.
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, e mbajtur këtë të enjte, është ndërprerë pas zhvillimeve të tensionuara, pasi kryeministri në detyrë dhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk paraqiti një emër për postin e kryeparlamentarit.
Kurti deklaroi se mungon një marrëveshje politike me partitë e tjera dhe kërkoi kohë shtesë për të shmangur mundësinë e zgjedhjeve të reja.
“Marrëveshje politike nuk kemi, prandaj që të evitojmë zgjedhjet e reja ju lus për kohë shtesë”, tha Kurti.
Pas kërkesës së kreut të Vetëvendosjes për shtyrjen e vendimit lidhur me kandidatin për kryeparlamentar, situata në sallë u tensionua.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të Albin Kurtit.
Në seancë u zhvillua fillimisht betimi i deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ndërsa pas përfundimit të kësaj pike të rendit të ditës, seanca u ndërpre.
Kriza për konstituimin e Kuvendit vijon, ndërsa mungesa e një marrëveshjeje për zgjedhjen e kryeparlamentarit rrezikon të rikthejë vendin drejt zgjedhjeve të reja.









