Fqinjët kanë shprehur shqetësimin lidhur me vonesën e shërbimit mjekësor, duke bërë me dije se ndihma e parë në vendngjarje u dha nga infermierja e fshatit, ndërsa ambulanca ka mbërritur me vonesë prej rreth gjysmë ore, kohë gjatë së cilës 65-vjeçari kishte humbur sasi të mëdha gjaku.
Një ngjarje e rëndë aksidentale i ka marrë jetën një 65-vjeçari në qytetin e Pogradecit. Viktima është identifikuar si Kristaq Çulaku, i cili ka humbur jetën si pasojë e dëmtimeve të rënda të pësuara nga një mjet prerës tip fresibël, me të cilin po punonte brenda ambientit të banesës së tij.
Sipas të dhënave të para, ngjarja ka ndodhur gjatë kohës kur 65-vjeçari po kryente disa punime mirëmbajtjeje në shtëpi. Gjatë procesit të punës, mjeti prerës i ka dalë nga kontrolli duke i shkaktuar plagë të rënda dhe hemorragji masive.
Pavarësisht përpjekjeve për t’i dhënë ndihmën e parë, ai nuk ka arritur t’u mbijetojë dëmtimeve fatale dhe ka ndërruar jetë. Banorët e lagjes, të tronditur nga ngjarja, kanë rrëfyer përpjekjet e tyre për t’i ardhur në ndihmë Kristaq Çulakut në momentet e tij të fundit.
Njëra nga fqinjet tregon se e kishte takuar viktimën po atë mëngjes.
“Erdhi këtu, pa lepurat dhe pastaj vajti mori trokonë, seç do bënte. U çuditëm kur dëgjuam që po thërrisnin. Erdhëm dhe e gjetëm të mbaruar,” – u shpreh ajo. Fqinja përshkroi me detaje bisedën e fundit dhe momentet dramatike kur tentoi t’i jepte ndihmën e parë.
“Më tha që lepujt janë rritur. Më kërkoi një vazo të vogël për të mbjellë borzilok. Më tha që kur të kthehej nga Korça do më mbushte edhe bombolën. Nuk e mendova që do ndodhte kjo… Kur vajta, e thirra ‘Kiço, Kiço’. I hodha ujë, por nuk u përmend fare. Më pa në sy dhe vetëm bënte ‘of’. Thirra njerëzit, sepse nuk e kapja dot nga frika. Trupi iu mbulua me gjak.”
Fqinjët kanë shprehur shqetësimin lidhur me vonesën e shërbimit mjekësor, duke bërë me dije se ndihma e parë në vendngjarje u dha nga infermierja e fshatit, ndërsa ambulanca ka mbërritur me vonesë prej rreth gjysmë ore, kohë gjatë së cilës 65-vjeçari kishte humbur sasi të mëdha gjaku.
Mësohet se Kristaq Çulaku jetonte i vetëm në banesë. Dy djemtë e tij ndodhen në emigrim në Londër, ndërsa bashkëshortja e tij jeton në Greqi.









