Paradoksi është i qartë: ndërsa Edi Rama mburret se ka mbështetjen e 800 mijë shqiptarëve, çdo ditë që kalon dhe protesta zgjerohet në qytete të ndryshme të vendit, bashkë me jehonën në mediat ndërkombëtare, ai e shton dozën e sulmeve dhe pyetjeve ndaj kujtdo që guxon të protestojë. Sa më shumë njerëz dalin në shesh, aq më e ashpër bëhet gjuha e tij. Një kontrast që tregon nervozizëm më shumë sesa siguri.
Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur sërish ironinë dhe sulmin frontal ndaj komentuesve në rrjetet sociale, duke i cilësuar si njerëz që “nuk bashkojnë dot katër fjali bashkë” dhe që mungesën e argumenteve e mbushin me sharje e fjalor banal. Në një reagim publik, ai deklaroi se mallkimet dhe ofendimet ndaj tij i shtojnë “vetëm shëndet dhe vullnet”, duke e zhvendosur debatin nga thelbi i protestave tek cilësia e komenteve online.
Sipas Ramës, një pjesë e atyre që kundërshtojnë projektet e qeverisë janë “revolucionarë” që kanë ndotur debatin publik me një fjalor të varfër dhe agresiv. Ai theksoi se protestat për çështjet mjedisore po manipulohen nga individë që kërkojnë vëmendje, ndërsa ambientalistët e vërtetë, sipas tij, duhet lënë të ushtrojnë të drejtën e tyre pa u përzier me “zhurmën” e rrjeteve.
Në mbrojtje të vizionit të tij për zhvillimin, Rama solli si shembull rajonin e Camargue në Francë, duke argumentuar se natyra dhe ekonomia mund të bashkëjetojnë. Ai përshkroi Camargue si një model ku lagunat, flamingot dhe biodiversiteti janë kthyer në aset ekonomik përmes turizmit dhe aktiviteteve tradicionale. Sipas tij, edhe Shqipëria mund të ndjekë të njëjtën rrugë pa sakrifikuar mjedisin.
Por ndërsa kryeministri flet për modele europiane dhe vizion afatgjatë, protestat në terren vijojnë të rriten, duke përfshirë aktivistë, qytetarë të thjeshtë dhe të rinj të shqetësuar për projektet në zonat e mbrojtura. Në daljet e tij të fundit, Rama ka shkuar deri aty sa të quajë disa protestues “delirantë” dhe influencerë që jetojnë me “like” e nuk paguajnë taksa.
Gjuha e ashpër, ironitë e vazhdueshme dhe fokusimi tek kundërshtarët në rrjete sociale duket se po e dominojnë komunikimin e kreut të qeverisë. Në vend të një dialogu qetësues, retorika është përshkallëzuar. Dhe sa më shumë zgjerohet protesta, aq më i tensionuar bëhet reagimi nga maja e pushtetit.









