Kryeministri Edi Rama zhvilloi një mbledhje me drejtuesit politikë të qarqeve dhe ministrat, ku u fokusua te protestat, angazhimi në terren dhe komunikimi me qytetarët. Më pas, gjatë një aktiviteti me kryebashkiakët, ai kritikoi mungesën e disa prej tyre në komunitetet që drejtojnë dhe prezantoi drejtimet kryesore të programit “Rilindja Urbane 2.0”.
Pas më shumë se një ore diskutimesh me dyer të mbyllura në selinë e Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama u ka përcjellë drejtuesve politikë dhe deputetëve një sërë porosish që lidhen me situatën politike në vend, protestat e fundit dhe nevojën për një prani më të madhe në terren.
Sipas burimeve nga mbledhja, Rama e ka vendosur theksin te protestat, të cilat i ka cilësuar si pjesë të një “lufte digjitale”, ndërsa ka kërkuar nga strukturat e partisë të forcojnë kontaktet me qytetarët dhe të jenë më pranë shqetësimeve të tyre të përditshme.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua identifikimit të problematikave reale në komunitete. Kryeministri ka kërkuar që deputetët të njihen nga afër me çështjet që lidhen me infrastrukturën, shërbimet publike dhe çdo problem që ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.
Ai ka ritheksuar gjithashtu se zyrat e deputetëve duhet të jenë funksionale dhe të hapura për publikun, në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi të paraqesin shqetësimet dhe kërkesat e tyre. Në të njëjtën linjë, Rama ka kërkuar shtimin e takimeve në terren nga të gjitha strukturat e Partisë Socialiste, me synimin për të përmirësuar komunikimin me komunitetin dhe për të adresuar më shpejt problemet e evidentuara.
Më vonë, gjatë një aktiviteti për modernizimin e infrastrukturës së komunikimeve elektronike dhe zhvillimin urban, kryeministri ndaloi fillimisht te puna e kryebashkiakëve, duke shprehur pakënaqësi për faktin se disa prej tyre, sipas ankesave të qytetarëve, mungojnë shpesh në zonat që administrojnë dhe kalojnë një pjesë të konsiderueshme të kohës në Tiranë.
Rama tha se kjo praktikë duhet të marrë fund dhe paralajmëroi se, nëse situata vazhdon, do të bëjë publikë edhe emrat e kryebashkiakëve që nuk respektojnë detyrimet ndaj komuniteteve të tyre.
“Janë bërë pak problem për komunitetin, pasi nuk qëndrojnë gjatë gjithë javës në territorin që drejtojnë, por vijnë në Tiranë edhe në ditët kur duhet të jenë në krye të detyrës atje. Kjo praktikë duhet të marrë fund”, u shpreh ai.
Sipas kryeministrit, shqetësimet kanë ardhur në mënyrë të përsëritur nga disa komunitete, kryesisht në zonën juglindore të vendit dhe përgjatë aksit Tiranë-Korçë. Ai theksoi se përgjegjësia ndaj qytetarëve kërkon prezencë të vazhdueshme në terren dhe jo administrim nga distanca.
Pas kritikave ndaj disa drejtuesve vendorë, Rama prezantoi drejtimet kryesore të programit “Rilindja Urbane 2.0”, i cili pritet të prezantohet zyrtarisht gjatë ditëve të para të korrikut.
Një nga objektivat kryesorë të programit është sistemimi i kabllove ajrore dhe kalimi gradual drejt infrastrukturës nëntokësore. Kryeministri tha se qytetet duhet të pastrohen nga rrjetet e vjetra dhe kabllot e panevojshme që dëmtojnë pamjen urbane.
“Është plotësisht e mundur që të pastrojmë qytetet tona nga fijet plastike të merimangave. Pjesa dërrmuese e këtyre kabllove janë pa funksion, por vazhdojnë të qëndrojnë si shenjë e mungesës së vëmendjes”, deklaroi ai.
Programi i ri do të përfshijë gjithashtu investime në sistemin e ujësjellës-kanalizimeve, me synimin për të adresuar zonat që ende nuk kanë përfituar nga ndërhyrjet e mëparshme infrastrukturore.
Një tjetër prioritet do të jetë transporti urban dhe interurban. Rama tha se synohet kalimi drejt një sistemi transporti më të gjelbër, me autobusë elektrikë dhe me një model më efikas administrimi nga bashkitë. Sipas tij, vëmendje e veçantë do t’i kushtohet sezonit turistik, kur kërkesa për transport publik rritet ndjeshëm.
Në kuadër të “Rilindjes Urbane 2.0”, qeveria parashikon edhe ngritjen e një parku logjistik në shërbim të bashkive për mirëmbajtjen, pastrimin dhe përballimin e situatave pas emergjencave, si dhe mbështetje për krijimin e kapaciteteve të reja të parkimit.
Kryeministri njoftoi gjithashtu financime të reja për programin “Start Up Albania”, duke argumentuar se kërkesat cilësore kanë qenë më të larta se sa fondet e disponueshme. Ai përmendi edhe zgjerimin e nismave që lidhen me kompanitë e përbashkëta mes pushtetit vendor, fermerëve dhe sipërmarrësve në zonat rurale, si dhe programin “Dyfisho sipërmarrjen tënde”, që synon të mbështesë zhvillimin ekonomik lokal.
Sipas Ramës, të gjitha këto masa do të përfshihen në manifestin e “Rilindjes Urbane 2.0”, i cili do të prezantohet në një konferencë kombëtare mes qeverisë dhe pushtetit vendor, me synimin për të përcaktuar prioritetet e fazës së re të zhvillimit urban dhe lokal në vend.









