Qindra qytetarë u mblodhën sërish në zemër të Tiranës për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe ndryshime të thella ligjore. Mes thirrjeve kundër Ramës dhe Berishës, protesta u kthye në një mesazh të qartë kundër gjithë elitës politike.
Qindra protestues janë mbledhur sërish këtë të shtunë në Sheshin “Skënderbej”, për t’u zhvendosur më pas para godinës së Kryeministrisë, ku kanë vijuar me thirrje dhe slogane kundër qeverisë. Nga turma dëgjohen vazhdimisht thirrje si “Rama ik” dhe “Rama në burg”, ndërsa nuk kanë munguar as sloganet kundër kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Një nga thirrjet që është përsëritur më shpesh gjatë tubimit ka qenë “Rama në burg, Berisha në burg”, duke reflektuar pakënaqësinë e një pjese të protestuesve jo vetëm ndaj mazhorancës, por ndaj gjithë klasës politike në vend. Mesazhi i tyre duket se shkon përtej përplasjes tradicionale pozitë-opozitë, duke kërkuar përgjegjësi dhe transparencë nga të gjitha palët.
Në protestë janë bashkuar aktivistë të shoqërisë civile, ambientalistë, të rinj dhe qytetarë të ardhur nga qytete të ndryshme të vendit. Shumë prej tyre mbanin pankarta kundër qeverisë, ndërsa të tjerë shprehën kundërshtimin ndaj asaj që e konsiderojnë si bashkëpunim apo heshtje të opozitës për çështje që, sipas tyre, prekin drejtpërdrejt interesin publik dhe pasuritë kombëtare.
Organizatorët kanë paraqitur 5 kërkesa konkrete, të cilat i konsiderojnë thelbësore. Në krye të tyre qëndron dorëheqja e qeverisë. Po ashtu, ata kërkojnë shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investitorët strategjikë, shfuqizimin e Paketës së Maleve, anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, si dhe anulimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore.
Protestuesit kanë paralajmëruar se tubimet do të vijojnë edhe në ditët në vijim, nëse kërkesat e tyre nuk merren në konsideratë, duke theksuar se mobilizimi qytetar do të rritet përballë asaj që ata e quajnë kapje të interesit publik nga politika.









