Ka nisur mbrëmjen e sotme protesta e pestë radhazi e qytetarëve kundër projektit për ndërtimin e një resorti turistik në zonën e mbrojtur të Zvërnecit.
Qytetarë, aktivistë të mjedisit dhe përfaqësues të shoqërisë civile janë mbledhur sërish në sheshin “Skënderbej”, nga ku nisën marshimin drejt Kryeministrisë për të kundërshtuar projektin që, sipas tyre, rrezikon një nga zonat më të rëndësishme natyrore dhe ekologjike të vendit.
“Nuk ka dialog, vetëm dorëheqje!”, “Zvërneci nuk preket!” dhe “Revolucion!”, ishin disa nga thirrjet dhe brohorimat që u dëgjuan nga protestuesit gjatë grumbullimit në qendër të Tiranës.
Organizatorët e protestës kanë zgjedhur si slogan të tubimit të sotëm moton: “Zëri ynë, dinjiteti ynë, e ardhmja jonë”, duke theksuar se kundërshtimi ndaj projektit do të vazhdojë derisa autoritetet të tërhiqen nga planet për zhvillimin turistik në zonën e mbrojtur.
Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” janë shpalosur dhjetëra pankarta me mesazhe kundër qeverisë, ndërsa mijëra qytetarë po marshojnë drejt Kryeministrisë në ditën e pestë të protestës.
Brohoritjet “Ju erdhi fundi”, “Edi Rama, dorëhiqu!” dhe “Jo Zvërnec” shoqëruan marshimin e protestuesve, të cilët kërkojnë anulimin e projektit.
Gjatë marshimit nuk munguan as thirrjet: “Shqipëria nuk shitet”, “Zëri ynë, dinjiteti ynë, e ardhmja jonë”.“O pallosh, o zagar jep dorëheqjen sa më parë, Rama në burg, Berisha në burg”, ishte një nga thirrjet e protestuesve drejtuar Ramës.Pjesëmarrja është më e lartë krahasuar me ditët e mëparshme të mobilizimit.
Në krye të marshimit ecën gra dhe fëmijë, në një mesazh simbolik për mbrojtjen e mjedisit dhe të ardhmes së brezave të rinj.Gjatë lëvizjes drejt Kryeministrisë, protestuesit brohoritën në kor kundër qeverisë dhe klasës politike.
Protestuesit artikuluan gjithashtu thirrje kundër liderit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke kërkuar përgjegjësi politike dhe ligjore për figurat kryesore të politikës shqiptare.









