Tensionet para parlamentit, përplasje në distancë Berisha-Rama

Facebook
WhatsApp

Kreu i PD-së, Sali Berisha, dënoi atë që e cilësoi dhunë të policisë ndaj protestuesve paqësorë, duke publikuar pamje të një qytetari të gjakosur dhe duke kërkuar përgjegjësi për ndërhyrjen e forcave të rendit. Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama akuzoi organizatorët se protesta e ka humbur karakterin qytetar dhe është shndërruar në një skenar dhune e përplasjeje politike.

Protesta e zhvilluar këtë të enjte para Kuvendit u shoqërua me tensione dhe akuza të ndërsjella mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa përplasja politike vijoi edhe në distancë përmes reagimeve të liderëve kryesorë të vendit. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe kryeministri Edi Rama dhanë qëndrime diametralisht të kundërta mbi ngjarjet e regjistruara gjatë tubimit.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Berisha dënoi ashpër atë që e cilësoi dhunë të ushtruar nga policia ndaj protestuesve. Ai e shoqëroi postimin me një video ku shfaqet një protestues i gjakosur, duke pretenduar se forcat e rendit kanë tejkaluar kompetencat gjatë menaxhimit të protestës.

“Përgjaket protesta. Pasi e përgjakin narkopolicët lajnë duart si Pilati! Dënoj me ashpërsinë më të madhe gjakosjen e protestuesit paqësor”, shkroi Berisha, ndërsa në një tjetër reagim shtoi se “sulmet brutale të narko-policisë ndaj protestuesve paqësorë” janë të papranueshme dhe duhen dënuar.

Akuza të forta ndaj policisë ngriti edhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka. Sipas tij, efektivët e policisë dhe Gardës kanë hyrë në lokalet pranë Kuvendit, duke shoqëruar dhe dhunuar qytetarë që ndodheshin aty.

Noka pretendoi se ndërhyrja është bërë pas dyshimeve se disa qytetarë kishin fërshëllyer ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja. “Dënoj me forcë dhunën që narkopolicët dhe gardistët kanë ushtruar ndaj qytetarëve të ndodhur në kafenetë rreth Kuvendit. As në diktaturën enveriste nuk ndodhte që të masakroheshin qytetarët kafeneve”, u shpreh ai.

Në krahun tjetër, kryeministri Edi Rama reagoi gjithashtu përmes rrjeteve sociale, duke e fokusuar mesazhin tek aktet e dhunës të regjistruara gjatë protestës, ku pati hedhje vezësh në drejtim të deputetëve të Partisë Socialiste dhe efektivëve të policisë.

Sipas Ramës, protesta kishte humbur frymën qytetare dhe ishte kthyer në një shfaqje konfliktesh politike. “Protesta e bukur e qytetarisë, atdhedashurisë, pastërtisë, ia ka lënë vendin tanimë filmit të vjetër të konfliktit, sherrit, dhunës, ku thonjtë e politikës së dështimit dhe zemërimit po dalin në pah me pisllëkun e tyre karakteristik”, shkroi kryeministri.

Ngjarjet para Kuvendit kanë thelluar edhe më tej përplasjen politike mes opozitës dhe mazhorancës, ndërsa secila palë vijon të mbajë përgjegjëse tjetrën për tensionet dhe incidentet e regjistruara gjatë protestës.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick