Nga sloganet politike te memet virale, protesta e ditës së 10-të u shndërrua në një tribunë satirike ku qytetarët përdorën humorin, ironinë dhe kreativitetin për të shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisë Rama dhe klasës politike.
Krahas thirrjeve politike, vëmendjen e të pranishmëve e tërhoqën pankartat kreative dhe mesazhet satirike, të cilat u kthyen në një nga elementët më të spikatur të tubimit.
Nga ironitë ndaj kryeministrit Edi Rama dhe investimit të planifikuar në Zvërnec, deri te sloganet në shqip dhe anglisht, protestuesit përdorën humorin, memet dhe referencat e kulturës pop për të përcjellë mesazhet e tyre.
Pankarta si “EDI, CTRL + Z se na u bë sistemi error”, “Too much bullshit for one sign” dhe “Ivanka Colombo, you didn’t find it baby, it belongs to Albanians”, “E besuam si idealist, na doli iluzionist”, si edhe pankarta ironizuese me shprehjen e avokatit Spartak Ngjela: “O Ramë, a e kemi zërin erotik apo jo?”, ishin ndër më të komentuara në tubimin e sotëm.
Protesta e djeshme qytetare shënoi një rekord pjesëmarrjeje që nga nisja e saj. Mijëra qytetarë u mblodhën fillimisht në Sheshin Skënderbej dhe më pas marshuan drejt godinës së Kryeministrisë, ku bulevardi u mbush me pankarta, flamuj dhe thirrje kundër qeverisë dhe klasës politike në tërësi.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama dhe përfaqësues të mazhorancës kanë vijuar të minimizojnë protestën, duke e lidhur atë me dezinformimin, interesa politike apo ndikime të jashtme. Në deklaratat e fundit, Rama ka ironizuar protestuesit dhe ka sulmuar figura publike që kanë shprehur mbështetje për revoltën qytetare.
Ajo që nisi në Zvërnec si një kundërshtim ndaj një projekti të caktuar, tashmë po merr përmasa më të gjera, duke u shndërruar në një shprehje të pakënaqësisë ndaj të gjithë klasës politike.









