Sipas pretendimeve të mazhorancës, Bardhi dhe Balliu kanë hedhur shishe uji dhe vezë në drejtim të kryeministrit Edi Rama, drejtuesve të Kuvendit dhe deputetëve të Partisë Socialiste. Balliu ironizoi vendimin, duke deklaruar se për herë të parë mësoi që veza konsiderohej lëndë piroteknike.
Sekretariati i Etikës ka vendosur të përjashtojë për 60 ditë nga punimet e Kuvendit dy deputetët e Partisë Demokratike, Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu.
Vendimi është marrë pas kërkesës së paraqitur nga Partia Socialiste, e cila pretendon se dy ligjvënësit e opozitës janë përfshirë në incidente gjatë procesit të votimit të Reformës Territoriale.
Sipas pretendimeve të mazhorancës, Bardhi dhe Balliu kanë hedhur shishe uji dhe vezë në drejtim të kryeministrit Edi Rama, drejtuesve të Kuvendit dhe deputetëve të Partisë Socialiste.
Si pasojë e masës disiplinore, dy deputetët demokratë nuk do të lejohen të marrin pjesë në seancat plenare apo në mbledhjet e komisioneve parlamentare për 60 ditët e ardhshme.
Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka reaguar pas vendimit. Në një prononcim për gazetarët jashtë ambienteve të Parlamentit, Balliu ironizoi vendimin, duke deklaruar se për herë të parë mësoi që veza konsiderohej lëndë piroteknike.
Sipas deputetit demokrat, masa disiplinore është marrë me urdhër politik, ndërsa pretendoi se rregullorja e Kuvendit nuk parashikon përjashtimin e deputetëve për një periudhë dymujore.
Ai akuzoi gjithashtu Partinë Socialiste se ka qenë e para që ka hedhur shishe gjatë përplasjeve në sallën e Kuvendit, ndërsa kritikoi faktin që ndaj deputetëve të mazhorancës nuk është marrë asnjë masë disiplinore.
Në vijim, Balliu përsëriti akuzat se vendimi për përjashtimin e tij është marrë me urdhër të kryeministrit.
“E para ndodh vetëm prej urdhrit të sugar dady të Gys Agasit shokut Edvin. Nuk ka rregullore që përjashton deputetët për 2 muaj. Hera e parë që morëm vesh se veza qenka lëndë piroteknike. Jo se e bën veza. Veza nuk është lëndë piroteknike në mendimin tim. Shishja e parë lëshohet nga PS. Nuk ka njeri nga PS që të merret masë prej tij. Neve na kërkohet përjashtimi për 2 muaj. Kemi ofenduar Niko Peleshin. Çfarë e kemi ofenduar? Ministrat e tjera? As nuk e di kush janë aty. Aty është vetëm Edi Rama. Minimalisht të na kursenin idiotësirat dhe të thonin të vërtetën se sugar daddy i Gys Agasit na ka urdhëruar.”, tha Balliu.









