Gjithçka ndodh ndërsa Veliaj pret 15 shtatorin, ditën kur Gjykata e Lartë do të rishqyrtojë masën e tij të sigurisë, pasi Gjykata Kushtetuese e riktheu çështjen duke kërkuar të vlerësohet nëse vazhdimi i arrestit me burg është proporcional dhe përse nuk mund të aplikohet një masë më e butë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka shkarkuar nga detyra nënkryetarin e Bashkisë, Blendi Sulaj. Vendimi është konfirmuar nga Bashkia e Tiranës, ndërsa deri më tani nuk janë bërë publike arsyet që kanë çuar në largimin e Sulajt nga posti.
Shkarkimi vjen vetëm pak ditë pas një tjetër vendimi të Veliajt që lidhet me drejtimin e institucionit. Kryebashkiaku i tërhoqi Anuela Ristanit delegimin e kompetencave për drejtimin e Bashkisë së Tiranës.
Ndryshime ka pasur edhe në administratën e institucionit. Një ditë më parë, sekretari i përgjithshëm i Bashkisë së Tiranës, Eldi Hoxha, dha dorëheqjen nga detyra, ndërsa Veliaj komandoi në vend të tij Alban Dokushin.
Dokushi ishte shkarkuar më herët nga detyra, por një vendim i Gjykatës Administrative e riktheu në Bashkinë e Tiranës, duke i hapur rrugë më pas komandimit të tij nga Veliaj në postin e sekretarit të përgjithshëm.
Këto zhvillime ndodhin ndërsa Erion Veliaj vijon të mbajë mandatin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025 me urdhër të SPAK dhe vijon të qëndrojë në paraburgim. Pavarësisht kësaj situate, ai mbetet kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe gjatë kësaj periudhe ka vijuar të firmosë vendime që lidhen me funksionimin dhe drejtimin e institucionit.
Gjithçka ndodh ndërsa Veliaj pret 15 shtatorin, ditën kur Gjykata e Lartë do të rishqyrtojë masën e tij të sigurisë, pasi Gjykata Kushtetuese e riktheu çështjen duke kërkuar të vlerësohet nëse vazhdimi i arrestit me burg është proporcional dhe përse nuk mund të aplikohet një masë më e butë.
Lëvizjet e Veliajt janë miratuar edhe nga kryeministria që në një reagim pak ditë më parë u shpreh se: “Për “situatën e krijuar” në Bashkinë e Tiranës, ajo është pjesë e konfuzionit që ka krijuar në ecurinë e kryeqytetit të Shqipërisë kyçja e të zgjedhurit në qeli, e cila ka imponuar një qeverisje të Tiranës me vartës në distancë – një absurd “ligjor” që në Europën demokratike as nuk mund të imagjinohet, e jo më të ndodhë”.









