Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, i kërkoi kryeministrit Edi Rama që reformat e ndërmarra në kuadër të integrimit europian të mos mbeten vetëm në letër, por të zbatohen konkretisht.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, i ka përcjellë një mesazh të qartë Ramës lidhur me reformat në kuadër të procesit të integrimit, duke theksuar se nuk mjafton vetëm miratimi i tyre, por nevojitet edhe zbatimi konkret.
Në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama, pas takimit në Kryeministri, von der Leyen vlerësoi progresin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian, por theksoi se zbatimi i reformave duhet të shoqërohet me dialog me shoqërinë dhe përfshirjen e të gjitha palëve.
“Keni punuar fort për ta kthyer ëndrrën europiane në realitet. Shqipëria është ndër vendet kryesore në proces. Vij çdo vit për të matur ecurinë dhe që nga vjet Shqipëria ka bërë ecuri të mrekullueshme dhe është fantastike. Keni mbyllur 3 kapitujt e parë, përfshirë atë që është.
Kjo është shumë e rëndësishme sepse tregon Shqipëria është përshtatur 100% me politikën e jashtme të BE dhe do të thotë se e shohim botën me të njëjtin sy.
Dua të përçojmë qytetarëve shqiptarëve se anëtarësimi i Shqipërisë nuk do ta bëjë vetëm Shqipërinë më të fortë, por edhe BE më të fortë. Por duhet ta ruajmë në këtë fokus që keni (reformat). Miratimi i tyre është i rëndësishëm por e rëndësishme është gjithashtu që të zbatohen, kjo kërkon dialog të fortë me shoqërinë dhe angazhim i të gjithëve palëve”, tha Von der Leyen ndër të tjera.
Procesi i integrimit europian ishte në fokus të bisedimeve mes presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Ramës. Kryeministri deklaroi se negociatat kanë hyrë tashmë në fazën e mbylljes së kapitujve, ndërsa theksoi se qeveria ka “vullnet të hekurt” për të çuar përpara procesin. Ai shtoi se Shqipëria po përgatitet të nisë mbylljen e kapitujve para fundit të këtij viti dhe të vijojë gjatë vitit të ardhshëm me një pjesë të konsiderueshme të tyre.
Një tjetër çështje e diskutuar gjatë konferencës ishte arrestimi i ish-drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni. I pyetur për këtë skandal, kryeministri vijon të mos marrë përgjegjësi politike për çështjet që përfshijnë zyrtarë të lartë të administratës së tij, duke ia lënë përgjegjësinë individuale sistemit të drejtësisë.
Rama deklaroi se SPAK dhe gjykata duhet të bëjnë punën e tyre të pandikuara, ndërsa u shpreh se “ajo që iu bë SHISH-it është e paparë në historinë e botës”. Ndërsa, von der Leyen e cilësoi çështjen si një tregues se sistemi i drejtësisë po funksionon, duke vënë theksin te rëndësia e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në kuadër të procesit të integrimit europian.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, Rama tha se ka informuar Ursula von der Leyen, për ecurinë e projektit në Zvërnec, i cili ka shkaktuar protesta dhe debate gjatë muajve të fundit. Ai shtoi se, së shpejti pritet studimi i thelluar mjedisor për projektin, ndërsa premtoi se procesi dhe dokumentacioni do të bëhen publikë.
“Dua të bëj me dije se e kam informuar presidenten qoftë për ecurinë e projektit të madh të investimit që ka shkaktuar interes, ku tanimë së shpejti studimin e thelluar mjedisor. Do të hapim pasqyrën dhe të gjithë procesin që është e shkruar e zeza mbi të bardhë dhe projektin e shumë diskutuar”, u shpreh Rama.
Kryeministri foli gjithashtu për luftën kundër korrupsionit, ku sipas tij “nëse deri dje korrupsioni ishte sistemi, sot sistemi po e lufton korrupsionin”.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, është pritur me protesta në Tiranë. Von der Leyen mbërriti në Kryeministri, ku u prit nga kryeministri Edi Rama, ndërsa në të njëjtën kohë jashtë godinës ishin mbledhur qytetarë që protestojnë kundër qeverisë.
Situata është shoqëruar edhe me momente tensioni mes protestuesve dhe forcave të policisë, të cilat ishin vendosur në numër të shtuar në zonën përreth Kryeministrisë.









