Procesi i numërimit të votave të zgjedhjeve të 7 qershorit po shkon drejt përfundimit, duke i hapur rrugë fazës së krijimit të institucioneve të reja të Kosovës. Megjithëse Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar fitoren dhe shumicën për formimin e qeverisë, zgjedhja e presidentit mbetet një sfidë që kërkon bashkëpunim më të gjerë politik.
Teksa procesi i numërimit të votave po mbyllet, vëmendja e skenës politike në Kosovë është zhvendosur te krijimi i institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
Sipas rezultateve aktuale, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë forca e parë politike, duke siguruar 52 vende në Kuvend. Me mbështetjen e përfaqësuesve të komuniteteve joserbe dhe të Nenad Rashiqit, partia e drejtuar nga Albin Kurti arrin numrat e nevojshëm për formimin e qeverisë së re. Megjithatë, kjo shumicë nuk është e mjaftueshme për zgjedhjen e presidentit të vendit, proces për të cilin nevojitet një kuorum prej 80 deputetësh.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, deklaroi të martën se hapat konkretë drejt formimit të institucioneve duhet të presin certifikimin zyrtar të rezultatit zgjedhor. “Ne jemi të interesuar që, pa humbur kohë, të hyjmë në fazën e ardhshme, që është konstituimi i institucioneve të legjislaturës së 11-të. Sa më shpejt, aq më mirë”, u shpreh Kurti.
Ai theksoi se, ndonëse ka siguruar një mandat tjetër në krye të ekzekutivit, zgjedhja e presidentit kërkon domosdoshmërisht bashkëpunimin e opozitës. Sipas tij, për të ecur përpara duhet të tejkalohet qasja refuzuese që, sipas Vetëvendosjes, ka karakterizuar opozitën në proceset e mëparshme politike.
“Vazhduam më tej duke ofruar që të votojmë edhe presidentin e propozuar nga opozita. Le të na sjellin tre kandidatë, ne do t’i japim nënshkrimet dhe votat tona. Edhe këtë e refuzuan. Në fund u refuzua edhe një figurë nga shoqëria civile. Për të ecur përpara, duhet të përfundojë kjo sjellje refuzuese e opozitës”, deklaroi Kurti.
Nga rezultatet e deritanishme, Vetëvendosje kryeson me 52 vende në Kuvend, ndërsa pasohet nga Partia Demokratike e Kosovës me 22 vende. Lidhja Demokratike e Kosovës ka siguruar 19 mandate, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pritet të përfaqësohet me 7 deputetë në legjislaturën e re.









