Zyra e blinduar, kamera e shqyer me njolla gjaku dhe lëvizjet e dyshimta me motor, detaje që thellojnë misterin e fatit të 41-vjeçarit, Armand Shakaj i dyshuar si autor i rrëmbimit dhe vrasjes së shokut.
Zhdukja e Eglant Koçit prej 5 qershorit vijon të mbetet një mister, ndërsa detaje tronditëse kanë dalë në dritë nga ambientet e lokalit të Armand Shakajt, personit të dyshuar si i përfshirë në ngjarje.
Lokali i Shakajt rezulton i mbyllur, ndërsa në katin e dytë ndodhet një zyrë e marrë me qira prej disa muajsh nga 41-vjeçari. Ndryshe nga ambientet e tjera me fasada xhami, kjo zyrë është e blinduar në të katër anët. Dera kryesore është e përforcuar me hekur dhe e izoluar plotësisht.
Në korridorin e katit të dytë, kamera e sigurisë është gjetur e shqyer dhe e kthyer në anë, me shenja të dukshme gishtash me gjak. Dyshohet se vetë autori ka dëmtuar pajisjen për të shmangur filmimin e daljes së tij nga zyra, teksa është parë duke mbajtur një qese të madhe të zezë. Ende nuk dihet çfarë ka pasur brenda saj, por hetuesit dyshojnë se mund të ketë lidhje me fatin e Koçit.
Sipas dëshmisë së kamerierit Enea Zyferi, tashmë i arrestuar për “Përkrahje të autorit të krimit”, Koçi është parë duke hyrë në lokal, por më pas nuk dihet çfarë ka ndodhur. Kamerat e sigurisë kanë filmuar Shakajn teksa largohej me një qese të madhe plehrash, të cilën e futi në automjet dhe u largua.
Për herë të fundit, Eglant Koçi është filmuar pranë sheshit “Willson”, ku ka hyrë me motor në një garazh. Pamjet tregojnë se Armand Shakaj ka lëvizur me motorin e Koçit drejt zonës së “5 Majit” dhe më pas është kthyer në këmbë, lëvizje që dyshohet se është bërë për të çorientuar hetuesit.
Operacionet e kërkimit janë përqendruar në zonat malore të Tiranës, kryesisht në Pëllumbas, Qafë Mollë dhe Malin me Gropa. Dëshmitë e disa banorëve që pretendojnë se kanë parë mjetin e Shakajt në zonën e Pëllumbasit kanë shtyrë policinë të intensifikojë kontrollet.
Nga të dhënat e sistemit TIMS rezulton se 41-vjeçari nuk ka dalë jashtë territorit të Shqipërisë, duke forcuar dyshimet se ai mund të fshihet brenda vendit.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se Shakaj vuan nga një problem shëndetësor. Për këtë arsye, policia ka njoftuar spitalet publike dhe private që të sinjalizojnë autoritetet nëse ai paraqitet për ndihmë mjekësore.
Ndërkohë, familjarët e Koçit shprehen të tronditur, ndërsa mbeten pa përgjigje për fatin e 41-vjeçarit. Hetimet vijojnë në disa pista, përfshirë edhe dyshime për përplasje të mundshme që lidhen me aktivitete financiare, ndërsa e vërteta e zhdukjes së tij mbetet ende e pazbardhur.









