Situatë e rënduar paraqitet në fshatrat Kalivaç dhe Zimaj, në Njësinë Administrative Ungrej të Bashkisë Lezhë. Sipas të dhënave paraprake, zjarri dyshohet se ka përshkuar dhe djegur rreth 200 hektarë sipërfaqe në të dy fshatrat.
Situata nga zjarret vijon të jetë problematike në qarkun e Lezhës. Nga një kontroll i kryer me dron është konstatuar një vatër zjarri me intensitet të lartë, e shtrirë në tri pika, ndërsa për vënien e saj nën kontroll është kërkuar ndërhyrje nga ajri.
Nga verifikimet e kryera gjatë mëngjesit janë konstatuar 10 banesa të djegura, ndërsa vijon evidentimi i dëmeve të shkaktuara nga flakët.
Situatë e rënduar paraqitet në fshatrat Kalivaç dhe Zimaj, në Njësinë Administrative Ungrej të Bashkisë Lezhë. Sipas të dhënave paraprake, zjarri dyshohet se ka përshkuar dhe djegur rreth 200 hektarë sipërfaqe në të dy fshatrat.
Shkalla e plotë e dëmeve nuk është përcaktuar ende, ndërsa forcat e Emergjencave Civile të Bashkisë Lezhë po vijojnë verifikimet në terren.
Mbi 150 forca të angazhuara në terren
Në operacionin për lokalizimin dhe shuarjen e flakëve janë angazhuar dhjetëra efektivë të strukturave vendore dhe qendrore.
Në terren ndodhen 12 zjarrfikës të Bashkisë Lezhë me dy mjete, 21 forca zjarrfikëse të Ministrisë së Mbrojtjes me tre mjete, si dhe 90 efektivë të Forcave të Armatosura.
Operacionit i janë bashkuar gjithashtu tetë punonjës të shërbimit pyjor, gjashtë forca të Njësisë Administrative, tre efektivë të Emergjencave Civile të Bashkisë dhe 12 vullnetarë.
Forcat po punojnë për lokalizimin dhe shuarjen e plotë të vatrave, ndërsa paralelisht vijon evidentimi i dëmeve.
Zjarri vijon edhe në Kurbin
Problem mbetet edhe situata në Kurbin, ku zjarri vijon të djegë bimësi në një vijë prej rreth 3-4 kilometrash.
Terreni nuk lejon ndërhyrjen me mjete dhe forca tokësore, ndërsa shuarja nga ajri paraqitet gjithashtu e vështirë për shkak të erës, e cila favorizon shpërndarjen e flakëve.
Operacioni për vënien nën kontroll të zjarreve vijon, ndërsa autoritetet ende nuk kanë një bilanc përfundimtar të dëmeve.









