Shpërthimi shkaktoi dëme të konsiderueshme në të gjithë godinën, e cila është shpallur e pabanueshme. Banorët u evakuuan nga ekipet e emergjencës, ndërsa autoritetet po marrin masa për sistemimin e tyre.
Ka shkuar në dy numri i viktimave nga shpërthimi i fuqishëm që tronditi mesditën e së mërkurës një pallat 5-katësh në lagjen “Beqir Dardha” në Elbasan.
Trupi i pajetë i 69-vjeçarit Hamit Ibro është gjetur nën rrënojat e godinës nga ekipet e kërkim-shpëtimit të Forcave të Armatosura.
69-vjeçari rezultonte i zhdukur që prej momentit të shpërthimit, ndërsa ekipet e emergjencës vijuan për orë të tëra kërkimet për gjetjen e tij nën rrënojat e pallatit.
Shpërthimi i fuqishëm ndodhi në një apartament në lagjen “Beqir Dardha”, duke shkaktuar dëme të rënda në strukturën e godinës. Si pasojë, muret e apartamentit dhe shkallët e pallatit u shembën, ndërsa tre kate të ndërtesës u bashkuan në një.
Nga ngjarja humbi jetën edhe një 82-vjeçare, e cila banonte në apartamentin ngjitur me atë ku ndodhi shpërthimi.
Ndërkohë, 10 persona të tjerë, të cilët pësuan asfiksi, morën ndihmë mjekësore në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Gjendet viktima e dytë e shpërthimit në pallatin 5-katësh
Shpërthimi shkaktoi dëme të konsiderueshme në të gjithë godinën, e cila është shpallur e pabanueshme. Banorët u evakuuan nga ekipet e emergjencës, ndërsa autoritetet po marrin masa për sistemimin e tyre.
Ndërkohë, grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, përcaktimin e shkakut të shpërthimit dhe vlerësimin e dëmeve materiale.
“Në zjarrfikësen e Elbasanit erdhi një njoftim për një shpërthim pranë autostradës, në një pallat 5-katësh. Menjëherë forcat zjarrfikëse kanë ardhur në vendngjarje, në terren…Është parë një dëmtim i strukturës së pallatit, një shembje e katit të 4-ërt, që ka rënë në katin e 3-të. Gjithashtu ka pasur shembje të shkallëve lidhëse… Janë marrë masat për evakuimin dhe shuarjen e zjarrit në katin e 3-të që është përhapur. Fatkeqësisht kemi pasur një humbje jete, ndërsa një 69-vjeçar rezulton i zhdukur. Kemi pasur 10 persona që janë paraqitur pranë spitalit për të marrë ndihmën e parë, pa problematika për shëndetin”, deklaroi kryebashkiaku Gledian Llatja.









