Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka lëshuar një ftesë publike aspak të zakontë për Erion Veliajn dhe Elisa Spiropalin, dy figurat ‘të përjashtuara’ nga zhvillimet e fundit brenda Partisë Socialiste, duke i ftuar të bashkohen me opozitën kundër kryeministrit Edi Rama.
Pas daljes nga Gjykata e Posaçme (GJKKO), ku u paraqit në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”, Berisha u pyet nëse PD-ja është e gatshme të pranojë në radhët e saj kryebashkiakun e Tiranës dhe ish-kryetaren e Kuvendit, pas zhvillimeve në Asamblenë e fundit të PS-së.
Përgjigjja e tij ishte një ftesë e hapur për të gjithë ata që janë në konflikt politik me kreun e qeverisë.
“Të gjithë faktorët që e konsiderojnë Ramën të keqen më të madhe në historinë pluraliste të Shqipërisë, duhet të bashkohen ta përcjellin një minutë e më parë”, deklaroi Berisha.
Kjo deklaratë vjen në një moment kur raportet brenda mazhorancës dhe pozicionimi i disa prej figurave të saj janë vënë në qendër të vëmendjes politike. Berisha duket se po shfrytëzon pakënaqësitë dhe përplasjet brenda kampit socialist për të zgjeruar frontin opozitar, duke lënë të hapur mundësinë e afrimit me figura që deri dje kanë qenë pjesë e rëndësishme e pushtetit të Ramës.
Gjatë komunikimit me gazetarët, kreu i PD-së u pyet edhe për mungesën e tij në protestë. Berisha argumentoi se ekziston një dallim mes protestave qytetare dhe atyre partiake, duke theksuar se prania e tij do t’i jepte tubimit një karakter politik.
“Janë dy lloje protestash: Ato popullore, në të cilat demokratët janë të parët që marrin pjesë. Dhe protestat partiake. Dalja ime do të ishte një akt politizimi për një protestë qytetare”, u shpreh ai.
Berisha sulmon Ramën për krimin elektoral: Sara Mile të dorëzojë mandatin dhe të shkojë në burg
Një tjetër çështje ku Berisha u ndal gjatë prononcimit ishte ajo e pretendimeve për shkelje dhe manipulime zgjedhore. Kreu i opozitës akuzoi drejtpërdrejt Edi Ramën për përdorimin e administratës dhe burimeve shtetërore në funksion të fushatës elektorale, ndërsa kërkoi ndëshkimin e deputetes Sara Mile.
Berisha pretendoi se Rama ka organizuar mijëra aktivitete të ndaluara paraelektorale, ka përdorur shpërndarjen e përfitimeve financiare për të ndikuar te votuesit dhe ka mobilizuar struktura kriminale për blerjen e votave.
Ai kritikoi gjithashtu atë që e cilësoi si standard të dyfishtë në trajtimin e përgjegjësive për shkeljet zgjedhore, duke pretenduar se përgjegjësia po përqendrohet te Sara Mile, ndërsa kryeministri po mbrohet nga institucionet.
“Sipas tyre, Sara Mile është përgjegjëse se ka kërkuar dy dhe trefishimin në fshatrat e Peqinit apo se ka futur bandat për të rrahur kryebashkiakët e atyre zonave dhe absolutisht është përgjegjëse. Ajo është një kriminele elektorale.
Por super, superkriminel është Edi Rama, me të cilin këta jo që nuk merren, por e mbrojnë sepse Edi Rama shpërndau në mesin e fushatës elektorale 100 euro për 760 mijë zgjedhës në dhunim të ligjeve. Sara urdhëroi drejtoreshën e ndihmës sociale në Peqin të trefishojë ndihmat, se i duheshin për vota, çka automatikisht duhet të dorëzojë mandatin dhe të shkojë aty ku e meriton”, deklaroi Berisha.









