Pasi u godit nga një plumb, Cato arriti të largohej drejt automjetit të tij, i cili ishte i parkuar rreth 150 metra më tutje. Aty ai u gjet nga policia dhe u transportua drejt spitalit, ku vijon të ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Detaje të reja janë zbardhur nga atentati me armë zjarri që ndodhi mbrëmjen e së premtes në Athinë, ku mbeti i plagosur rëndë një 38-vjeçar shqiptar nga Saranda. I plagosuri, i identifikuar si Helis Cato, rezulton person i shpallur në kërkim nga policia greke, pasi dyshohet se ishte i përfshirë në një grup kriminal të trafikut të kokainës.
Ndërkohë, në lidhje me ngjarjen, autoritetet greke kanë arrestuar dy persona të mitur që ndodheshin në shoqërinë e tij në momentin e atentatit. Bëhet fjalë për shqiptarin Flavio Keqi, 16 vjeç, dhe shtetasin grek Ioannis Karikis, po 16 vjeç.
Sipas mediave greke, dy të miturit kanë tentuar të largohen pas ngjarjes dhe janë arrestuar për veprën penale të mosbindjes ndaj urdhrit të policisë. Deri më tani nuk ka të dhëna që i lidhin ata drejtpërdrejt me autorët e të shtënave.
I shpallur në kërkim pas goditjes së grupit të kokainës
Helis Cato, 38 vjeç, banues në lagjen nr. 1 të Sarandës, ishte shpallur në kërkim nga policia greke pas një operacioni të zhvilluar në qershor të këtij viti kundër një grupi kriminal që merrej me tregtimin e kokainës.
Gjatë këtij operacioni, autoritetet greke arrestuan nëntë persona dhe shpallën në kërkim katër të tjerë. Në total, grupi përbëhej nga 11 shqiptarë dhe tre shtetas grekë, ndërsa mes personave të kërkuar ishte edhe 38-vjeçari nga Saranda.
Si ndodhi atentati në Athinë?
Ngjarja ndodhi pranë një kishe në lagjen “Kolono” të Athinës, ku persona ende të paidentifikuar dyshohet se kanë qëlluar dy herë me armë zjarri në drejtim të 38-vjeçarit.
Pasi u godit nga një plumb, Cato arriti të largohej drejt automjetit të tij, i cili ishte i parkuar rreth 150 metra më tutje. Aty ai u gjet nga policia dhe u transportua drejt spitalit, ku vijon të ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ndërkohë, autoritetet greke vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve të atentatit, ndërsa motivet e sulmit mbeten ende të paqarta.









