Protesta e sotme, studentët përplasen me militantët e PD-së

Facebook
WhatsApp

Protesta para Ministrisë së Arsimit përshkallëzohet në përplasje fizike dhe hedhje gurësh pas mbërritjes së deputetëve dhe mbështetësve demokratë. Studentët kërkojnë largimin e tyre, ndërsa në protestë dëgjohen thirrje kundër Sali Berishës dhe akuza për përpjekje për të marrë nën kontroll tubimin.

Momente të forta tensioni janë regjistruar para Ministrisë së Arsimit, ku protesta e studentëve kundër qeverisë është shoqëruar me përplasje fizike, debate dhe hedhje gurësh pas mbërritjes së deputetëve të Partisë Demokratike dhe mbështetësve të saj.

Studentët, të cilët prej disa javësh po protestojnë për kërkesat e tyre, kanë kundërshtuar përfshirjen e opozitës në tubim, duke u kërkuar përfaqësuesve të PD-së të largohen. Thirrjet “Largohuni!” janë shoqëruar me përplasje mes dy palëve, ndërsa situata ka dalë për disa momente jashtë kontrollit. Disa protestues kanë ngritur gjithashtu dyshime për praninë e personave të infiltruar, të cilët, sipas tyre, synonin të provokonin dhe të destabilizonin protestën.

Përplasja nuk ka qenë vetëm për praninë fizike të demokratëve, por edhe për përpjekjen e tyre për t’i dhënë tubimit një drejtim politik opozitar. Studentët kanë bërë të qartë se kundërshtimi ndaj qeverisë nuk nënkupton mbështetje automatike për Partinë Demokratike dhe Sali Berishën.

Kjo është shfaqur edhe në thirrjet e drejtpërdrejta kundër kryetarit të PD-së. Gjatë protestës është dëgjuar slogani “Arresto Berishën”, i drejtuar në sy të deputetëve demokratë, duke e kthyer praninë e tyre në një tjetër burim tensioni. Mesazhi i të rinjve ishte se protesta e tyre nuk mund të përdoret si mbështetje politike për një forcë apo drejtues opozitar.

Debatet janë shoqëruar edhe me replika të ashpra për rolin e Berishës në tubim. Në një prej tyre, një protestues ka pyetur një grua të pranishme se çfarë funksioni kishte ish-kryeministri në protestën studentore. Ajo është përgjigjur se kishte 150 ditë që qëndronte në shesh dhe se Berisha i mbështeste studentët, njësoj siç, sipas saj, edhe ajo mbështeste të rinjtë.

Përgjigjja ka nxitur reagimin e protestuesit, i cili ka vijuar ta pyesë se çfarë studenteje ishte. Gruaja ka këmbëngulur se i mbështeste të rinjtë si fëmijët e saj.

Në një tjetër moment, një protestues i është drejtuar Berishës me një mesazh të drejtpërdrejtë dhe në tone të ashpra: “Berisha, mos më leh si qeni pas gardhit! Edhe ti nuk del këtu. Por arsyeja pse nuk del është e qartë: populli dhe rinia nuk të duan, ndaj nxjerr veglat e tua për të prishur protestën”.

Ndërkohë, pas tensionimit të situatës, në zonë kanë ndërhyrë forcat e policisë, të cilat kanë krijuar një kordon sigurie dhe kanë kryer shoqërimet e para për të rivendosur kontrollin.

Ngjarjet para Ministrisë së Arsimit nxjerrin në pah përplasjen mes dy qëndrimeve brenda protestës: atij të studentëve që kërkojnë të ruajnë pavarësinë e tubimit dhe përpjekjes së përfaqësuesve të PD-së për t’u bashkuar me pakënaqësinë ndaj qeverisë dhe për ta kanalizuar atë politikisht. Për studentët, kundërshtimi i qeverisë nuk do të thotë domosdoshmërisht rreshtim pas Berishës.

https://www.cdnimpuls.com/video/6aef27d4f1aad.mp4

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick