Ai kërkon të hetohet nëse transferimi i tij nga burgu i Durrësit në atë të Fierit dhe kushtet e paraburgimit janë përdorur si mjete presioni për ta detyruar të pranojë se ka organizuar protestat në Tiranë dhe të japë dorëheqjen nga posti i kryebashkiakut.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i është drejtuar zyrtarisht kreut të Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, me kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar që të hetojë ndërhyrjet dhe kërcënimet që ai pretendon se janë ushtruar ndaj tij nga kryeministri Edi Rama, përmes ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu.
Në deklaratën e publikuar sot, Veliaj kërkon të hetohet nëse transferimi i tij nga burgu i Durrësit në atë të Fierit dhe kushtet e paraburgimit janë përdorur si mjete presioni për ta detyruar të pranojë se ka organizuar protestat në Tiranë dhe të japë dorëheqjen nga posti i kryebashkiakut.
Veliaj shprehet i gatshëm të dëshmojë nën betim përpara Kuvendit, të ballafaqohet me ministrin Toni Gogu dhe të paraqesë provat që disponon. Ai kërkon që edhe kryeministri Rama t’i nënshtrohet të njëjtit standard llogaridhënieje.
Kryebashkiaku thekson se kërkesën ia ka drejtuar shumicës parlamentare të partisë së tij, pasi kontrolli i Kuvendit mbi qeverinë nuk duhet të kushtëzohet nga përkatësia politike.
Veliaj njofton gjithashtu se ka vënë në dijeni Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës dhe trupin diplomatik në Shqipëri, ndërsa ka kërkuar ruajtjen e menjëhershme të provave dokumentare dhe audiovizive.
“Nuk kërkoj që Kuvendi t’i marrë si të mirëqena deklarimet e mia. Kërkoj që t’i hetojë. Mandati i një kryetari bashkie buron nga vota e qytetarëve dhe vota e qytetarëve nuk mund të bëhet objekt shantazhi politik”, përfundon Veliaj.
Reagimi i plotë:
DEKLARATË E KRYETARIT TË BASHKISË TIRANË, ERION VELIAJ
Sot i jam drejtuar zyrtarisht Kryetarit të Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, me kërkesën për inicimin e ngritjes së një komisioni hetimor parlamentar mbi ndërhyrjet dhe kërcënimet që kam deklaruar se janë ushtruar ndaj meje nga Kryeministri Edi Rama, nëpërmjet Ministrit të Drejtësisë.
Kam kërkuar të hetohet nëse transferimi im nga Durrësi në Fier dhe kushtet e paraburgimit janë përdorur si instrumente presioni për të më detyruar të pranoj organizimin e protestave në Tiranë dhe të jap dorëheqjen nga mandati që më kanë besuar qytetarët e kryeqytetit.
Jam i gatshëm të dëshmoj nën betim përpara Kuvendit, sipas ligjit, të ballafaqohem me Ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, dhe të paraqes çdo provë që disponoj. Kam kërkuar gjithashtu që Kryeministri Edi Rama t’i nënshtrohet të njëjtit standard llogaridhënieje.
Kërkesën ia kam drejtuar shumicës parlamentare të partisë sime, sepse kontrolli kushtetues mbi qeverinë nuk mund të kushtëzohet nga përkatësia politike e atyre që duhet të japin llogari.
Kam vënë në dijeni edhe Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës dhe trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri, si dhe kam kërkuar ruajtjen e menjëhershme të provave dokumentare dhe audiovizive.
Nuk kërkoj që Kuvendi t’i marrë si të mirëqena deklarimet e mia. Kërkoj që t’i hetojë. Mandati i një kryetari bashkie buron nga vota e qytetarëve dhe vota e qytetarëve nuk mund të bëhet objekt shantazhi politik.
Erion Veliaj
Kryetar i Bashkisë Tiranë
11 nëntor 2026









