I pyetur mbi kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës për të marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë së PS, Balla u shpreh se Veliajn e konsideron mik, por shtoi se ai duhet ta përballojë vetë këtë proces, pa përfshirë simbolet apo strukturat e PS-së.
Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka komentuar situatën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke theksuar se përballja me drejtësinë është një çështje personale dhe se Partia Socialiste nuk duhet të përfshihet në këtë proces.
Balla u shpreh se Veliajn e konsideron mik, por shtoi se ai duhet ta përballojë vetë këtë proces, pa përfshirë simbolet apo strukturat e PS-së.
“PS nuk është mburojë e askujt në përballje me drejtësinë dhe në këtë këndvështrim, Veliajn e kam mik, por në përballjen me drejtësinë duhet ta bëjë vetë, pa përfshirë grushtin dhe trëndafilin e PS-së”, u shpreh Balla.
Kujtojmë se një ditë më parë Veliaj i kërkoi SPAK dhe PS leje për të marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë Socialiste që do të mbahet të shtunën.
Nga ana tjeter Balla, ka kërkuar bashkëpunimin e opozitës për përmbylljen e Reformës Zgjedhore, duke theksuar nevojën për dakordësi mbi disa çështje kryesore që lidhen me procesin zgjedhor.
Ai renditi katër prioritetet ku duhet të përqendrohet diskutimi mes palëve politike.Bëhet fjalë për depolitizimin e komisioneve zgjedhore, mbulimin mediatik të fushatave elektorale, përfshirjen e administratës publike në zgjedhje dhe financimin e partive politike, teksa shtoi se afati i fundit eshtë 30 nëntori.
Kreu i grupit parlamentar socialist kërkoi dakordësi për ndryshimet e nevojshme ligjore, duke rikthyer në vëmendje edhe formulën e depolitizimit të komisioneve zgjedhore, e cila ishte diskutuar më herët gjatë vitit 2020.
“Ju jeni dëshmitarët më të shpeshtë të komunikimeve tona publike, ku janë thënë angazhimet për të pasur një reformë zgjedhore. Reforma ka katër çështje.
Për reformën zgjedhore, e para është depolitizimi i komisioneve zgjedhore. Kanë kaluar 6 vite dhe mund ta kishim bërë këtë. Nuk mund ta kenë vetëm PS dhe PD kontrollin e plotë të procesit, nuk mund të kemi nga një përfaqësues për parti. E dyta është mbulimi mediatik i fushatave.
E treta është çështja që lidhet me përfshirjen e administratës në zgjedhje. Edhe kjo duhet adresuar, për të cilën, siç e tha Gjiknuri, nëse opozita nuk do ta adresojë, qeveria do të ndërhyjë me vendime të Këshillit të Ministrave.
E treta është pjesa e financimit të partive. Këtu jemi pa fjalë. Unë jam këtu që nga viti 2017. Një draft është gati që në 2017. Do të mund t’ju sot them që drafti është pothuajse gati. Ne nuk do të shpikim rrotën, por do të marrim shembujt më të mirë nga shtetet e tjera që përshtaten me situatën aktuale në Shqipëri. Ka pasur dhe një lexim nga Komisioni i Venecias. Nuk ka ekspertizë më të mirë se Komisioni i Venecias.
Por PD ka një muaj që ka hyrë në një rrugë pa kthim dhe unë i ftoj që të heqin dorë nga bojkoti dhe të vijojmë jetën normale parlamentare. Kur vjen në Kuvend, nxjerr flakadan dhe godet me bidona kryetarin e Kuvendit, përjashtohesh. Kjo ndodh në çdo shtet.
Konsensusi është 84 vota në Kuvend dhe ne i kemi këto 84 vota. Pas 30 nëntorit ne do ta miratojmë, duan apo s’duan ata. Askush nuk e ndalon dot agjendën e Shqipërisë drejt BE-së.
Unë ende shpresoj që do të ketë një reflektim nga PD-ja, si forca më e madhe opozitare. Por duhet të kuptoni që ligji i financimit të partive duhet të miratohet brenda Krishtlindjeve nga Parlamenti. Po deshët, hajdeni t’ua tregoj në zyrën time, është kërkesë e BE.
Imagjinoni tani, Sali Berisha vjen dhe merr formën e një studenti 82-vjeçar, që të duket sikur po përfaqëson protestën. Këto lojëra me ne nuk i bëjnë dot”, tha Balla.









