Deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila, është paraqitur këtë të mërkurë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Burime pranë Prokurorisë së Posaçme kanë deklaruar për mediat, se Mila është thirrur në Prokurorinë e Posaçme, pasi po hetohet nga prokurori Bledar Maksuti me dyshime për korrupsion në zgjedhje.
Deputetja e qarkut të Elbasanit, sot në SPAK është thirrur në rolin e deklarueses. Ndërsa është paraqitur në SPAK, Mile nuk ka bërë asnjë koment për gazetarët. Mila ka shkuar e vetme në ambientet e SPAK-ut.
Hetimet lidhen me dyshime për përdorimin e ndihmës ekonomike dhe përfitimeve të tjera për të ndikuar te votuesit gjatë procesit zgjedhor, ku Mila rezultoi më e pëlqyera në radhët e socialistëve në Elbasan.
Pas afro një orë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, deputetja e Partisë Socialiste për qarkun e Elbasanit, Sara Mila, doli nga SPAK-u. Për mediet ajo tha se do të paraqitej përballë këtij institucioni sa herë të kërkohej.
“Ky kalvar i gjatë i hedhjes së baltës së politikës së vjetër do të përfundojë. Edhe në respekt të besimit të të gjithë qytetarëve të Elbasanit, do të jem këtu sa herë të më dalë emri. Faleminderit, se po më presin qytetarët në Elbasan për festën e Çlirimit”, tha ajo duke u larguar pa iu përgjigjur drejtpërdrejtë pyetjeve të gazetarëve.
Burime pranë Prokurorisë së Posaçme kanë deklaruar për mediat, se Mila është thirrur në Prokurorinë e Posaçme pasi po hetohet nga prokurori Bledar Maksuti me dyshime për korrupsion në zgjedhje.









