Arjan Koçi, i njohur si “Ari Shady” në profilin e tij në Instagram me 77 mijë ndjekës, akuzohet se ka bërë thirrje për dhunë në Instagram.
Antiterrori procedoi sot penalisht 17 persona për përhapje të lajmeve të rreme, nxitje të dhunës dhe krime të tjera të dyshuara, lidhur me protestën studentore në Tiranë.
Mes tyre është edhe aktivisti Gent Progni, për të cilin policia thotë se “ka ndërhyrë në jetën private” duke postuar fotografitë dhe emrat e efektivëve të policisë, për të cilët ai pretendonte se ushtronin dhunë fizike dhe psikologjike ndaj protestuesve.
I proceduar për nxitje dhune është edhe avokati Altin Goxhaj. Një emër tjetër i njohur është Arjan Koçi, i njohur si “Ari Shady” në profilin e tij në Instagram me 77 mijë ndjekës.
Koçi akuzohet se ka bërë thirrje për dhunë në Instagram. Por një tjetër akuzë që policia pretendon ndaj tij është hapja e një fushate për mbledhjen e fondeve në GoFundMe, me pretendimin se i rrezikohej jeta.
Koçi, deri në këto momente ka arritur të mbledhë mbi pak më shumë se 10 mijë paund, por në përshkrimin në faqe thotë se paratë janë mbështetje për protestën.









