Pas rrëzimit të Vuçiç nisin arrestimet në Serbi

Facebook
WhatsApp

Në pranga ka rënë Marko Kriçak, ish-kreu i Njësisë së Policisë Kriminale (UKP) në Serbi, nën dyshimet për shpërdorim detyre, falsifikim provash dhe presion ndaj dëshmitarëve. I arrestuar ka përfunduar edhe një tjetër drejtues i lartë i policisë serbe.

Një tjetër emër i rëndësishëm i strukturave të sigurisë në Serbi është vënë në pranga. Marko Kriçak, ish-drejtuesi i Policisë Kriminale (UKP), është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, nën dyshimet për shpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas medias serbe Radar, arrestimi është kryer në kuadër të një hetimi që lidhet me manipulimin e provave dhe ushtrimin e presionit ndaj dëshmitarëve dhe të pandehurve, me qëllim përshtatjen e deklarimeve me një version të paracaktuar të ngjarjeve.

Në të njëjtën çështje është ndaluar edhe Boško Sekulović, drejtues i Shërbimit për Luftën kundër Krimit. Të dy janë kallëzuar penalisht nga avokatët e Veselin Milić, ndihmësdrejtorit të Policisë Serbe.

Çështja lidhet me hetimet për vrasjen e Aleksandar Nešović, i njohur si Baja, në restorantin “27”, në lagjen Senjak të Beogradit.

Në fazën fillestare të hetimeve, në kallëzimin penal të policisë ishte përfshirë edhe Veselin Milić, i cili në atë kohë mbante postin e ndihmësdrejtorit të Policisë dhe drejtonte Policinë e Beogradit.

Kriçak, i cili drejtoi operacionin policor pas vrasjes, tashmë dyshohet se ka falsifikuar prova dhe ka ushtruar presion ndaj dëshmitarëve dhe personave të dyshuar, në mënyrë që faktet të përshtateshin me një skenar të ndërtuar paraprakisht.

Kallëzimi penal kundër Kriçakut dhe Sekulovićit ishte depozituar më 30 korrik 2026 nga avokatët e Milićit, ndërsa Radar kishte raportuar më herët për përplasjen mes drejtuesve të lartë të policisë serbe.

Nga BIA te drejtimi i Policisë Kriminale

Karriera e Marko Kriçakut në strukturat e sigurisë mori hov gjatë viteve të fundit të pushtetit të Aleksandar Vuçiçit.

Ai fillimisht punoi në Agjencinë e Informacionit dhe Sigurisë (BIA), në strukturën e njohur si Drejtoria e Pestë, e cila merret me kundërzbulimin dhe mbrojtjen e personelit të vetë agjencisë.

Më pas kaloi në Ministrinë e Brendshme, për t’u rikthyer sërish në BIA. Në vitin 2022 u emërua zëvendëskomandant i Njësisë për Sigurinë e Personave dhe Objekteve të Veçanta (JZO), ndërsa në korrik 2023 mori drejtimin e kësaj njësie.

Emri i tij u bë i njohur gjerësisht gjatë protestave studentore në Serbi, kur njësia që drejtonte u akuzua për përdorim të dhunës ndaj demonstruesve.

Një nga rastet më të përfolura ishte shoqërimi i disa protestuesve në godinën e Qeverisë së Serbisë. Studentja Nikolina Sinđelić e akuzoi publikisht Kriçakun për ushtrim dhune dhe kërcënime seksuale.

Pavarësisht akuzave dhe kundërshtimeve nga ekspertë të sigurisë dhe punonjës të policisë, Kriçak u emërua në fund të vitit 2025 në krye të Policisë Kriminale (UKP).

Akuzat për dhunë e kanë shoqëruar Kriçakun edhe gjatë hetimit për vrasjen në restorantin “27”.

Katër persona të dyshuar në këtë çështje kanë deklaruar se janë dhunuar gjatë qëndrimit në polici. Ndërsa pronari i restorantit, i cili është gjithashtu i akuzuar, ka pretenduar në dëshminë e tij se mes personave që e kanë goditur ishte edhe vetë Marko Kriçak.

Kriçaku ishte përmendur disa herë në deklaratat publike të Aleksandar Vuçiçit, i cili kishte shprehur vlerësime për të.

Ndërkohë, përfaqësues të listës studentore, pas zhvillimeve politike dhe zgjedhore në Serbi, kishin kërkuar dorëheqjen e disa zyrtarëve, mes tyre edhe të Kriçakut.

Tashmë ai është arrestuar nga policët që dikur ishin vartës të tij.Arrestimi i tij hap një kapitull të ri në hetimet mbi mënyrën se si janë funksionuar strukturat e policisë serbe dhe mbi akuzat për abuzime gjatë periudhës së qeverisjes së Aleksandar Vuçiçit. Megjithatë, dyshimet e ngritura ndaj të arrestuarve mbeten për t’u provuar në procesin gjyqësor.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick