Ministri i Brendshëm polak, Marcin Kierwiński, deklaroi se autori 25-vjeçar ishte i ndikuar nga ideologjitë e ekstremit të djathtë. Megjithatë, autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar motivin e plotë të sulmit.
Dy gra dhe një burrë, të cilët sipas informacioneve të publikuara nga mediat polake janë motra, nëna dhe babai i personit të armatosur që vrau gjashtë njerëz në sheshin qendror të Krakovës, janë gjetur të vdekur në banesën e tij.
Lajmi u bë i ditur nga kryeministri polak Donald Tusk, i cili shpalli dy ditë zie kombëtare. Mes gjashtë viktimave të sulmit të kryer nga i riu i armatosur polak në Krakovë ishte edhe një shtetas britanik, njoftoi kreu i policisë.
“Gjashtë persona u vranë, katër gra dhe dy burra. Tre gra polake, një shtetas britanik dhe dy persona, identiteti i të cilëve ende nuk është përcaktuar”, deklaroi Marek Boron në një konferencë për shtyp.
Ai bëri të ditur gjithashtu se 15 persona mbetën të plagosur, mes tyre edhe pesë shtetas të huaj. Autori i sulmit, 24-vjeçar, u plagos rëndë nga policia.
Ministri i Brendshëm polak, Marcin Kierwiński, deklaroi se autori 25-vjeçar ishte i ndikuar nga ideologjitë e ekstremit të djathtë.
Sipas ministrit, të dhënat e mbledhura deri tani mbështesin këtë dyshim. Megjithatë, autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar motivin e plotë të sulmit.
Policia gjeti armë të tjera në automjetin e autorit. Një zëdhënëse e policisë i tha televizionit TVN24 se sulmuesi mbante veshje të ngjashme me uniformat ushtarake dhe përdorte një armë të gjatë të tipit ushtarak, ndoshta një pushkë gjysmëautomatike AR-15.
Agjencia polake e lajmeve PAP raportoi se, sipas fotografive, arma kishte një pajisje që mundësonte qitje më të saktë. Autori mbante gjithashtu një pistoletë.









