Kryeministri Edi Rama ka përsëritur ftesën për dialog drejtuar studentëve, duke shfaqur sërish në të njëjtën tryezë ku ka zhvilluar edhe thirrjet e mëparshme për bisedime. Ftesa vjen pas dy javësh protestash, gjatë të cilave studentët dhe të rinjtë kanë kërkuar dorëheqjen e kreut të qeverisë.
Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme, protestuesit kanë refuzuar të ulen në tryezën e dialogut, duke këmbëngulur në kërkesën e tyre për largimin e Ramës nga posti i kryeministrit. Nga ana tjetër, kreu i qeverisë ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes, duke theksuar se dialogu mbetet rruga e vetme për zgjidhjen e situatës dhe rikthimin e stabilitetit.
Edhe gjatë ditës së djeshme, studentët dhe të rinjtë vijuan protestën e tyre, duke u mbledhur në mënyrë paqësore përpara Ministrisë së Arsimit dhe Kryeministrisë, ndërkohë tubimet pritet të vijojnë edhe sot.
Ndryshe nga tubimet e fundit, ditët e para të protestave u shoqëruan me tensione dhe përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të policisë. Gjatë incidenteve u shkaktuan dëme të konsiderueshme në godinat e institucioneve shtetërore, si dhe në një numër biznesesh private.
Përplasjet sollën edhe ndërhyrjen e policisë, e cila shoqëroi qindra persona në komisariate, ndërsa ndaj disa prej tyre u morën masa arresti.
Në përgjigje të incidenteve të regjistruara gjatë protestave, kryeministri Rama ka prezantuar një paketë me gjashtë instrumente ligjore dhe financiare, që synojnë adresimin e dëmeve të shkaktuara dhe forcimin e masave ndaj personave të përfshirë në akte dhune.
Një prej masave të propozuara parashikon gjoba deri në 500 mijë lekë për personat që vijojnë të qëndrojnë në tubime ku ushtrohet dhunë, edhe pas paralajmërimeve të policisë. Gjithashtu, parashikohen sanksione për mosbindjen ndaj urdhrave të forcave të rendit.
Një tjetër element i paketës është krijimi i një regjistri të posaçëm elektronik për personat e referuar ose nën hetim për vepra penale që lidhen me shtetin, rendin dhe sigurinë publike.
Ndryshimet e propozuara përfshijnë gjithashtu kufizime për zhvillimin e tubimeve pranë institucioneve të rëndësishme shtetërore, masa ndëshkuese për nxitjen e dhunës përmes rrjeteve sociale, si dhe sanksione ndaj personave që fshehin identitetin gjatë protestave të dhunshme.
Ndërkohë, situata mbetet e pazgjidhur, me studentët që vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit dhe Ramën që këmbëngul në zhvillimin e dialogut si alternativë për daljen nga kriza.









