Policia e Shtetit ka njoftuar masa të shtuara sigurie për ndeshjen e futbollit mes Shqipërisë dhe Finlandës, që do të luhet mbrëmjen e sotme, në orën 20:45, në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.
Sipas njoftimit zyrtar, policia do të bllokojë qarkullimin e automjeteve në disa rrugë pranë stadiumit, duke nisur nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes.
Përveç kufizimeve në trafik, efektivët do të kryejnë kontrolle të hollësishme ndaj tifozëve përpara hyrjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes së sendeve të ndaluara.
Policia nuk do të lejojë futjen e banderolave me përmbajtje raciste, fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të telefonave, produkteve kozmetike dhe sendeve të tjera të forta që mund të rrezikojnë sigurinë e pjesëmarrësve.
Autoritetet do t’i zbatojnë këto masa gjatë hyrjes së tifozëve dhe zhvillimit të ndeshjes, ndërsa kufizimet e qarkullimit pranë stadiumit do të qëndrojnë në fuqi deri në përfundimin e takimit.
Rrugët që do të jenë të bllokuara nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes:
overlay-clevercloseLogo
-Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga fast food-i “Laguna”, pranë urës së ish-Hotel Dajtit;
-Rruga “Papa Gjon Pali II”, te kryqëzimi i RTSH-së;
-Rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së;
-Rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së;
-Rruga “Themistokli Gërmenji”, në hyrje;
-Rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i RTSH-së;
-Rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës (korridor hyrjeje për në parkimin e caktuar, vetëm për mjetet e autorizuara nga FSHF-ja);
-Rruga “Abdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar;
-Te sheshi “Willson”, pak para përfundimit të ndeshjes, lëvizja do të devijohet në drejtim të rrugës “Sami Frashëri”.
Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri” do të jenë të lira për lëvizjen e mjeteve.









